Mitrovicë: Problem procesi i kthimit të të zhvendosurve

Komuna e Mitrovicës, edhe përkundër përpjekjeve të pandërprera dhe rezultateve të arritura, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtarë të pranishëm këtu, vazhdon të ballafaqohet me probleme të shumta sa i përket procesit të kthimit të të zhvendosurve në pronat e tyre.
Në takimin e fundit të Grupit komunal për kthim, drejtuar nga kryetari i komunës, Avni Kastrati, ku kanë marrë pjesë disa nga përfaqësuesit e lagjeve dhe komuniteteve, nga territori i komunës, që kanë persona të zhvendosur, është folur për aktivitet dhe zhvillimet aktuale për zgjidhjen e problemeve të personave të zhvendosur.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, i ka siguruar të pranishmit, se ai dhe institucionet e pushtetit lokal, duke bashkëpunuar ngushtë me përfaqësuesit e lagjeve dhe komuniteteve që kanë probleme të kësaj natyre, do të punojë shumë në krijimin e kushteve optimale që do të mundësojnë kthimin e të gjithë personave të zhvendosur, pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe lagjet, të kthehen në pronat e tyre prej nga pa dëshirën e tyre janë detyruar të zhvendosen.
Ai ka thënë se vetëm me përkushtimin e të gjithëve së bashku dhe qasje serioze e konstruktive, problemi i kthimit të familjeve në shtëpitë ku kanë jetuar më parë, mund të zgjidhet ashtu siç edhe duhet.
Tregoje ne Facebook
















