Berisha: Pagat dhe kualifikimi i mësuesve shtylla kryesore e reformës në arsim

Qeveria do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë trajtimit financiar dhe kualifikimit të kategorisë së mësuesve. Kjo është garancia që Kryeministri Berisha shprehu dje gjatë inaugurimit të shkollës 9-vjeçare “Qamil Guranjaku”, në qytetin e Elbasanit, një investim me vlerë 61 milionë lekë, ndërsa pajisjet e saj kanë kushtuar rreth 20 milionë lekë.

Duke përshëndetur nxënësit dhe mësuesit e shkollës për këtë inaugurim, Kryeministri theksoi se arsimi ka përbërë dhe do të përbëjë përparësinë më madhore për qeverinë që ai drejton. Ai shprehu bindjen se gara e dijes do të mbetet ende promotori kryesor i ecjes me shpejtësi drejt të ardhmes evropiane. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë vuri në dukje se gjatë këtyre viteve u bënë ndryshime të mëdha. “Sot, në këtë shkollë dhe në mbarë shkollat e vendit funksionojnë kabinetet e informatikës, interneti, libraria virtuale dhe laboratorë të tjerë. Unë iu garantoj se gjatë viteve që vijnë, së bashku, do të shënojmë garantimin e internetit në gamë të gjerë në çdo familje shqiptare dhe kompjuter për çdo fëmijë shqiptar. Shqipëria në moshën dixhitale është zotimi ynë. Ajo është dhe do të jetë leva e Arkimedit për të ndryshuar Shqipërinë”, tha më tej kreu i qeverisë. Në mënyrë të veçantë, ai shprehu garancinë se mësuesit do të jenë epiqendra e reformës në arsim. “Unë i garantoj mësuesit e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë se edhe gjatë këtyre katër viteve ata do të jenë në epiqendër të reformës së arsimit. Trajtimi i tyre, pagat dhe trajnimi i tyre përbëjnë shtyllën më kryesore të reformës në arsim. Ne inaugurojmë sot një shkollë të re, por jemi zotuar se gjatë katër viteve që vijnë do të rindërtojmë apo ndërtojmë nga e para edhe 1000 shkolla të tjera në mbarë Shqipërinë. Në fund të këtij mandati, fëmijët shqiptarë do të ulen në banka të shkollave tërësisht të rindërtuara apo të ndërtuara nga e para. Në fund të këtij mandati do të ketë marrë një shtrirje masive edhe arsimi parashkollor, në mënyrë që kujdesin për dijen ta shtrijmë edhe në moshat para se fëmijët tanë të ulen në bankat e shkollës”, tha Berisha. Duke vizituar ambientet e kësaj shkolle, Kryeministri përgëzoi stafin pedagogjik dhe kërkoi që programi i informatikës të shtrihet edhe në klasat më të ulëta, në klasat e I-ra, klasat e II- ta dhe të III-ta, duke i pajisur edhe kabinetet me kompjuterë të përshtatshëm për këto mosha. Kryeministri theksoi se këtë vit qeveria do të ketë si prioritet absolut të saj moshën dixhitale. Më pas, Berisha zhvilloi edhe një takim të përzemërt me stafin pedagogjik të kësaj shkolle, të cilët i garantoi se edhe gjatë këtyre katër viteve arsimtarët do të jenë në epiqendër të reformës së arsimit. “Ne e marrim arsimin si çështjen më serioze, sepse për një komb nuk ka asgjë më serioze se arsimi. Mendoj që në disa drejtime është lëvizur mirë. Është lëvizur në drejtim të rritjes së numrit të studentëve në universitete. Sot ne kemi 135 mijë studentë në universitete, prej të cilëve 120 mijë në universitetet publike dhe 15 mijë studentë në universitetet private, por duhet të shkojmë tek 150 mijë studentë”, theksoi Berisha. Ndër të tjera, ai vuri në dukje rëndësinë që ka kualifikimi dhe mirëpërgatitja e mësuesve në kuadër të rritjes së kërkimit shkencor. “Duhet të rendim pas cilësisë në përgatitjet e mësuesve, në kualifikimin e vazhdueshëm të tyre dhe për cilësinë në kërkimin shkencor në universitete. Në universitete mbetet problem serioz numri i pedagogëve për studentë. Duhet të rritet numri i pedagogëve dhe duhet ta sjellim atë në nivelin e grupit të vendeve të zhvilluara. Gjithashtu, është ulur dhe do të vazhdojë të ulet edhe numri i nxënësve për mësues”, vijoi më tej kreu i ekzekutivit. Duke vlerësuar kushtet e shkollës së sapoinauguruar, Kryeministri tha se ky investim qëndron në lartësinë e traditës së shkëlqyer arsimdashëse të Elbasanit. “Është nder i madh dhe kënaqësi e veçantë për mua që të ndaj me ju, me prindërit dhe familjet tuaja, kënaqësinë e inaugurimit të një shkolle të re që mban emrin e një personaliteti të shquar, të një shkolle, e cila me të gjithë parametrat e saj qëndron në lartësinë e traditës së shkëlqyer arsimdashëse të qytetit të Elbasanit. Shkolla që ne inaugurojmë sot është një investim prej 61 milionë lekë, ndërsa pajisjet e saj kanë kushtuar rreth 20 milionë lekë. Shkolla është pajisur me teknologji të lartë të informacionit dhe më të gjitha mjetet e simotrave të saj jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Evropën”, vijoi Berisha.

Tregoje ne Facebook
Share and Enjoy:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Postoje tek Ngjarjet
  • Postoje tek Votoje
  • Postoje tek Lexoje
  • Postoje tek LajmeWeb
  • Facebook
  • Technorati
  • Digg
  • del.icio.us
  • Dergoja nje miku me E-mail!
  • Google
  • Live
  • MySpace
  • StumbleUpon
  • TwitThis
  • Print this article!
February 8, 2010 Postuar nen: < Lajme

Leave a Reply